Pas dy ftesave të refuzuara, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar sërish ftesë për takim liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Takimi pritet të mbahet nesër në orën 10:00, në Presidencë, raporton Express
Gazeta Express ka siguruar letrën që Thaçi ia ka dërguar Kurtit, ku thuhet se do të ndërmerren hapat për formimin e Qeverisë së Kosovë.
“Andaj me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.
Ndryshe, dje Kurti tha se presidenti cakton datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë. Ai ka thënë se këtë datë ia përcakton LDK-ja.
“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti. /Gazeta Express









