Ange Postecoglou mund të rikthehet shumë shpejt në stolin e trajnerit, vetëm 48 orë pas shkarkimit nga Nottingham Forest, pasi tashmë është favorit për një punë të re.
Postecoglou u shkarkua nga detyra të shtunën në “City Ground”, vetëm disa minuta pas humbjes 3-0 në shtëpi ndaj Chelseat.
Mandati i tij përfundoi pas vetëm tetë ndeshjeve në një periudhë prej 39 ditësh, duke shënuar shkarkimin e dytë të tij në vitin 2025, pasi më parë ishte larguar edhe nga Tottenhami - pavarësisht se kishte fituar Ligën e Evropës dhe kishte siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, ndonëse aktualisht është pa punë, trajneri australian është lidhur me një rikthim të papritur te Celtic.
Ndërsa rivalët e Rangers sapo kanë shkarkuar trajnerin Russell Martin pas një serie rezultatesh të dobëta, Celtic ndodhet pesë pikë prapa liderëve të SPFL, Hearts, pas një humbjeje befasuese ndaj Dundee fundjavën e kaluar.
Gjithashtu, Celtic u eliminua nga Liga e Kampionëve që në fazën kualifikuese, pasi humbi me penallti ndaj një skuadre kazake, Kairat Almaty pas dy barazimeve 0-0.
Tani në Ligën e Evropës, skuadra skoceze ka marrë vetëm një pikë nga dy ndeshjet e para në fazën e ligës, dhe presioni ndaj Brendan Rodgers po rritet ngadalë gjatë periudhës së tij të dytë në krye të klubit.
Edhe pse trajneri nga Irlanda e Veriut nuk pritet të shkarkohet së shpejti, ka pasur një ndryshim në renditjen e favoritëve për stolin e Celticut sipas basteve.
Më parë, Kjetil Knutsen i Bodo/Glimt ishte favorit për të marrë drejtimin e klubit, por tani kuota e tij ka rënë, duke e zbritur në vendin e tretë.
Postecoglou, megjithatë, është favorit i ri sipas “gambling.com”.
60-vjeçari e mori drejtimin e Celtic në vitin 2021, duke fituar dy tituj kampion dhe një “tripletë historike” në sezonin 2022/23, përpara se të kalonte te Tottenham.
Emra të tjerë që përmenden në listën e mundshme janë ish-trajneri i Borussia Dortmund, Edin Terzic, trajneri i St Mirren, Stephen Robinson, dhe John McGlynn i Falkirk./GazetaExpress/








