Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kandidatit për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, pasi ai sot kërcënoi me vrasje kreun e VV'së, Albin Kurti.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë partia, nëpërmjet një komunikate të publikuar në rrjetin social Facebook, në internet.
“Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e VV'së.
Vetëvendosje ka thënë se nuk e di nëse kërcënimi i Hotit ishte i porositur apo është nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes.
“Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes së Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën", thuhet në komunikatën e VV'së.
"Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria. Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës”, ka thënë partia e Albin Kurtit.
Vetëvendosje ka shtuar se synon që ta luftojë "fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive"
"Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti. I vlerësojmë faktorët publikë e politikë, si edhe qytetarët që distancohen dhe dënojnë pa ekuivok dhe pa relativizim këtë sjellje të papranueshme. Presim nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit. Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës”, përfundon komunikata e VV'së.








