Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratave të nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, që tha sot se është e tepërt që partia e Albin Kurtit ta marrë edhe postin e presidentit edhe atë të kryeministrit, raporton Gazeta Express.
Përmes një shkrimi në Facebook, deputeti i zgjedhur i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka shkruar se ajo që thotë Veliu nuk qëndron, pasi që LV-ja nuk është duke kërkuar për vete pozitën e presidentit.
Ai thotë se Vetëvendosja është duke kërkuar që për presidentin të flitet kur të vijë koha, e jo tani kur po tentohet të bëhet shumica parlamentare për qeverisje.
LV-ja thotë, gjithashtu, se janë duke kërkuar një president ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës.
“Kërkesa juaj për ta pasur presidentin në mënyrën se si po e kërkoni nuk e shpreh përkushtimin e stërthënë nga ju për LDK-në shtetformuese, perëndimore dhe që angazhohet për shtetin e së drejtës”, ka thënë ai. /GazetaExpress/








