Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia ka dërguar mbrëmë vonë ofertën e fundit kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa
Në këtë ofertë të cilën e ka siguruar Insajderi, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, LDK-ja do të ketë gjashtë ministri, LV-ja pesë, derisa minoritetet tri ministri.
Oferta nga Kurti te Mustafa ka shkuar të hënën rreth orës 22:00.
Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.
“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i 2-të, një nënkryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin VV-së”, thuhet në propozim.
LV-ja në këtë propozim ka ofruar që LDK-ja të ketë zv.kryeministri i 1-rë, nënkryetari i 1-rë i Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se LV-ja.
Po ashtu, LV-ja është pajtuar që LDK-ja ta propozojë kandidatin për president, i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe të gjitha kriteret kushtetuese.
“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjidhet presidenti, atëherë LDK-ja do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim.
Që nga e enjtja e javës së kaluar, nuk ka pasur më një takim LDK-VV. Pas këtij takimi të fundit të dy liderët e këtyre partive, ikën duke mos u prononcuar para medieve.
Ndërkaq dje, pas vizitës së ambasadorit amerikan Philip Kosnett në LDK, ku ai iu bëri thirrje të dy partive që ta formojnë sa më shpejt qeverinë, një prononcim të shkurtër e dha kryetari i LDK-së Isa Mustafa.
Kreu i LDK-së, pas takimit me Kosnett, tha se zgjidhjen e ka LV-ja për marrëveshjen.
Ndërsa, dje pas konfirmimit se nuk do të ketë takim LV-LDK, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk ka garanci për një marrëveshje me LDK-në.








