Ka disa ditë që janë ngrirë takimet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Derisa partia e Isa Mustafës po e fajëson VV-në që nuk e po e japin dritën e gjelbër sa i përket pozitës së presidentit të ardhshëm, Lëvizja Vetëvendosje thotë se është LDK-ja ajo që po mban pozicionime të ngurta, shkruan Gazeta Express
Që nga e shtuna nuk ka pasur takim në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës, e një i tillë nuk është paraparë të mbahet as sot gjatë ditës.
Dy liderët, në fakt, nuk janë sprapsur nga qëndrimet që kanë vënë në tavolinë të diskutimit, e këto janë edhe arsyet që po i lënë pa marrëveshje.
Është LDK-ja që po insiston në pozitën e presidentit, pas mbarimit të mandatit të Hashim Thaçit, derisa Vetëvendosja e ka bërë të qartë se nuk negocion me këtë pozitë.
Mustafa qëndrimin e tij e ka bërë publik gjatë së shtunës edhe për kryesinë e partisë, dje ndërkaq takoi kryetarët e degëve, ndërsa nesër është bërë e ditur se do ta takojë Këshillin e Përgjithshëm.
Këto qëndrime të LDK-së për pozitën e presidentit, e të cilat Mustafa po sigurohet t'i përcjellë në të gjitha strukturat e partisë, po shihen si të ngurta nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partia e Albin Kurtit, pas njoftimit se sot nuk do të ketë takim, apo ndonjë zhvillim të ri, tha se është shumë të interesuar për koalicion. Mirëpo, sipas saj, është LDK-ja tek e cila po hasin në pozicionime të ngurta.
“Strukturat e Lëvizjes na njoftuan se nuk ka takim as sot. Nuk ka asnjë zhvillim të ri. Lëvizja është shumë e interesuar për koalicion, por nga pala tjetër po hasim në pozicionime të ngurta”, ka thënë LV-ja për Gazetën Express.
Dy liderët e partive, janë kujdesur që pavarësisht se nuk kanë mbajtur takime, të deklarohen për koalicionin nëpër paraqitje publike.
Ishte Mustafa, që dje pas takimit me kryetarët e degëve tha se bisedimet me Kurtin nuk janë të ngurta.
“Procesi i bisedimeve po vazhdon dhe nuk është i ngurtë, çdo ulje në tavolinë është mundësi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, ato zgjidhje është e vështirë që të zgjidhen nëse i ngurtësojnë para opinionit, kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ne të mos dalim të japim deklarata që të mos shpërfaqim një situatë që e kemi brenda, sepse gjithmonë bisedimet kanë mospajtime edhe pajtime”, thotë Mustafa, derisa shton se nuk kanë ngrirje të qëndrimeve e se çështja e presidentit është parimore.
LDK-ja thotë, gjithashtu, se është duke kërkuar një kandidat konsensual që ta propozojnë për president.
Partia e Kurtit, në anën tjetër në vazhdimësi shprehet e bindur se nuk do t'i pranojë diskutimet për presidentin. Ajo ka thënë se fillimisht duhet të formohet qeveria, pastaj puna e presidentit të vendoset kur t’i përfundojë mandati Hashim Thaçi.
Deri më tani, nga marrëveshja e arritur në mes të dy partive, është bërë edhe ndarja e posteve ministrore.
LDK-ja kishte zgjedhur fillimisht MPB-në, pastaj Ministrinë e Arsimit, të Bujqësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Planifikimit Hapësinor.
VV-ja, ndërkaq, zgjodhi Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Financave, Zhvillimit Ekonomik, Shëndetësisë dhe Drejtësisë.
Ministria e kthimit ndërkaq i takon komunitetit serb, e ajo e Kulturës minoriteteve tjera.
Më shumë se dy muaj kanë kaluar që nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, që konfirmuan si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, të pasuar, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Dy partitë, ishin zotuar se pas 72 orëve do të nënshkruanin marrëveshjen për bashkëqeverisje, mirëpo tash kur kanë kaluar 21 ditë që nga ajo deklaratë, VV-ja e LDK-ja po dakordohen vetëm të vazhdojnë takimet.
Nëse planifikojnë të finalizojnë bashkëpunimin për koalicion, Kurti e Mustafa kanë edhe 10 ditë para seancës konstituive. /GazetaExpress/








