Pas takimit në pasditen e së hënës ndërmjet krerëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në përpjekjen e radhës për arritjen e koalicionit për bashkëqeverisje, në faqen zyrtare të partisë së Albin Kurtit ishte lëshuar një njoftim ku thuhej se palët ishin pajtuar që të takohen të martën, ndërkohë ishte thënë se në takim do të merrnin pjesë edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.
Një njoftim i tillë kishte ngjallur reagime të shumta të cilat pjesëmarrjen e shteteve të QUINT-it në tryezën e diskutimeve për koalicion e komentonin si ndërhyrje në negociata.
Një gjë e tillë është mohuar edhe nga vetë QUINT-i sot, duke thënë se nuk ndërhyjnë dhe nuk përkrahin asnjërën palë në çështjen e arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Ndërkohë ka reaguar edhe Erzen Vraniqi nga Sekretariati për Media nga Vetëvendosje, duke thënë se Kurti e Mustafa ishin pajtuar mbrëmjen e së hënës që në takimin e sotëm të ftonin edhe ambasadorët e QUINT-it dhe Apostolovën.
Vraniqi ka thënë se nuk është menduar që ata të ftohen për të ndërmjetësuar në diskutimet për koalicion për si lehtësues eventual.
“Në fund të takimit të mbrëmshëm ndërmjet LVV dhe LDK, kishte dakordim që sot ose nesër të ftohen në takim edhe ambasadorët e QUINT-it si dhe Shefja e Misionit të BE-së në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe në komunikimin me tekst që ka pasur kryetari i LVV-së Kurti me kryetarin e LDK-së Mustafa mbrëmë në orën 19:30. Kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm. Ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë”, ka shkruar Vraniqi, raporton Gazeta Express.
Takimi i radhës Kurti-Mustafa pritet të mbahet sot, ndërkohë mbetet të shihet se a do të marrin pjesë edhe ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesja e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova. /GazetaExpress/








