Mbrojtësi anësor i Manchester Unitedit, Aaron Wan-Bissaka, e ka emëruar Marcus Rashfordin si bashkëlojtarin e tij më të vështirë për ta pasur kundërshtarë gjatë ndeshjeve në stërvitje, përderisa e ka zgjedhur Paul Scholesin si legjendën e klubit me të cilin do të donte më së shumti të luante bashkë.
Mbrojtësi i krahut të djathtë iu bashkua Manchester Unitedit nga Crystal Palace gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar në një marrëveshje për 45 milionë funte. 22-vjeçari e ka pasur një sezon mbresëlënës debutues në Old Trafford, duke i bërë 34 paraqitje, të cilat i kanë shtuar thirrje që ai të zgjidhet për ekipin kombëtar të Anglisë, transmeton Gazeta Express.
Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të klubit, Wan-Bissaka tha se aftësitë e tij si mbrojtës janë përmirësuar nga përballjet me lojtarë të talentuar që i ka çdo ditë në seancat stërvitore me Manchester Unitedin, veçanërisht e ka theksuar Rashfordin.
“Ai është shumë i paparashikueshëm. Kur unë erdha në fillim këtu dhe u përballa me të në stërvitje, ai bënte gjëra që me të vërtetë nuk i prisja. Kur isha i sigurt se ai do të shkonte në një kah apo do të bënte diçka të caktuar, ai e bënte të kundërtën, kështu që është e vështirë të luash kundër tij”, ka thënë anglezi.
“Megjithatë, unë e shijoj këtë mjaft shumë. Ka qenë një gjë shumë e mirë për zhvillimin tim, që ta testoj veten kundër tij dhe kundër sulmuesve të tjerë që i kemi këtu në skuadër”,
Mbrojtësi anglez gjithashtu e zbuloi se me cilën legjendë të Manchester Unitedit do të kishte dashur më së shumti të luante, duke e zgjedhur Paul Scholesin, i cili ishte pjesë e skuadrës legjendare të Djajve të Kuq që e fituan tripletën në vitin 1999.
“Ka shumë, por do ta zgjedhja Paul Scholesin. Gjithmonë më ka pëlqyer ta shikoj atë teksa luante, veçanërisht teknikën e tij dhe mënyra se si e kontrollonte topin, por edhe goditjet e tij ishin të veçanta. Do të ishte e mrekullueshme të luaja përkrah tij”, shtoi Wan-Bissaka. /Gazeta Express/








