Nico Williams ka një rrugë të qartë për këtë merkato: nëse ka një klub ku dëshiron të luajë sezonin e ardhshëm, ai është FC Barcelona. Reprezentuesi spanjoll ua ka bërë të qartë njerëzve të tij të afërt se prioriteti kryesor është transferimi në “Camp Nou”. Nëse marrëveshja nuk realizohet, ai është i gatshëm të rinovojë me Athletic Club dhe të qëndrojë edhe një vit tjetër në Bilbao. Nuk ka një zgjidhje të ndërmjetme.
Barça ka filluar të lëvizë. Janë zhvilluar bisedime me lojtarin dhe agjentin e tij, dhe gatishmëria e anësorit është e plotë. Nico është i gatshëm të përshtatë kërkesat e tij financiare me realitetin e pagave në klub, diçka që nuk pranohet nga të gjithë kandidatët për atë pozitë. Drejtoria sportive ende nuk e sheh si opsionin e parë — Luis Díaz mbetet në krye të listës — por dëshira e lojtarit ka pezulluar negociatat me të tjerët. Flick ka folur tashmë personalisht me të, duke i shprehur besimin dhe mënyrën se si do ta përshtatë në stilin e tij të lojës.
Ndërkohë, Athletic po përpiqet ta mbajë yllin e vet. Oferta për rinovim që është në tavolinë përfshin një përmirësim të ndjeshëm, me një klauzolë më të lartë se ajo aktuale, por në Bilbao e dinë se gjithçka nuk varet nga paratë. Nico ndien se është gati për një sfidë të re, dhe nëse nuk qëndron në “San Mamés”, kjo do të ndodhë vetëm sepse Barça vendos përfundimisht të investojë te ai.
Edhe klubet angleze kanë shfaqur interesim, por fokusi i tij është te Barcelona. Në moshën 22-vjeçare, Nico shihet si një përforcim strategjik: njeh LaLigën, përshtatet me gjeneratën e re të “blaugranëve” dhe ka kimi me lojtarë kyç si Lamine Yamal. E vetmja gjë që mungon tani është që klubi katalanas të bëjë hapin vendimtar. Tani topi është në fushën e tyre.








