Wolverhampton Wanderers ka bërë një homazh prekës për Diogo Jotën përpara ndeshjes ndaj Liverpoolit në Premier League, duke ndalur në Anfield për të nderuar ish-lojtarin e të dyja klubeve.
Lojtarët dhe stafi i Wolves vizituan stadiumin të premten, në prag të përballjes së fundjavës, e cila do të jetë hera e parë që dy skuadrat takohen që nga ndarja tragjike nga jeta e Jotës. Sulmuesi portugez kishte luajtur fillimisht për Wolves, ku shënoi 44 gola në 131 paraqitje, përpara se të transferohej te Liverpooli në vitin 2020, ku realizoi gjithsej 65 gola.
Në një tjetër moment emocional, djemtë e Jotës do të dalin në fushë së bashku me maskotat e të dy klubeve para fillimit të ndeshjes në Anfield.
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, në shënimet e tij në programin e ndeshjes për takimin e fundit shtëpiak të vitit 2025, theksoi se shpreson që dashuria e vazhdueshme për Jotën t’i ndihmojë familjarët e tij në procesin e dhimbshëm të zisë.
“Kjo do të jetë Krishtlindja e parë pa Diogon për familjen e tij. Nuk është vendi im të them se ku mund të gjejnë ngushëllim, por shpresoj që dashuria dhe përkushtimi që ai ende zgjon t’u sjellë pak paqe,” shkroi Slot.
Edhe kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, foli për ndikimin e madh që Jota ka lënë te klubi dhe te bashkëlojtarët.
“Do ta kujtojmë atë çdo ditë, sepse Diogo është pjesë e klubit dhe e vëllazërisë sonë. Ka momente të vështira, por mënyra se si djemtë janë përballur me këtë situatë ka qenë e jashtëzakonshme,” tha Van Dijk për The Times.
Homazhi i Wolves dhe Liverpool për Diogo Jotën tregon edhe një herë se futbolli është më shumë se lojë, është solidaritet, kujtesë dhe respekt i përjetshëm. /GazetaExpress








