Lamine Yamal nuk do ta harrojë kurrë eksperiencën e jashtëzakonshme që e pati në Euro 2024.
Super-talenti i Barcelonës ishte sensacion në këtë Europian, ndërsa u zgjodh futbollisti më i mirë i ri i turneut.
Yamal, i cili i mbushi 17 vjet vetëm të shtunën, ka folur për eksperiencën në “Gjermania 2024” dhe për festën që do të vazhdojë në Spanjë me popullin spanjoll.
“Është një ëndërr, mezi presim të kthehemi në Spanjë dhe të festojmë me tifozët. Është e bukur të jem këtu me familjen time”, deklaroi fillimisht futbollisti ofanziv për “Sky”, përcjell "Gazeta Express".
Më pas, ai foli edhe për ndeshjen me Anglinë, të cilin me shokët e tij e fituan me rezultat 2:1 falë golave të Nico Williams e Mikel Oyarzabal.
“Barazimi na vuri në vështirësi, por ne e njohim këtë skuadër dhe në fund fituam. Shokët e skuadrës më ndihmojnë shumë”, tha tutje ylli i ri spanjoll.
Spanja e fitoi titullin e katërt të kampionit europian, ndërsa Anglia dështoi ta fitonte trofeun e parë. /Gazeta Express/








