Ylli i Juventusit, Kenan Yildiz, është i entuziazmuar që do të përballet me Real Madridin në “Santiago Bernabeu”, por hedh poshtë krahasimet me Alessandro Del Pieron: “Dua të ndërtoj historinë time”.
Yildiz dhe Juventusi i tij do të luajnë në transfertë ndaj Real Madridit të mërkurën, në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve.
Do të jetë hera e parë për Yildiz në “Bernabeu”, dhe talenti turk mezi pret që ndeshja të fillojë.
“Çdo fëmijë ëndërron të luajë në atë stadium” tha Yildiz për UEFA-n.
“Mendoj se është një nga më të mirët në botë,, dhe fakti që mund të luaj aty tani është një ëndërr e bërë realitet. Përballja me një klub të tillë në Ligën e Kampionëve është thjesht e mrekullueshme. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe të zhvilloj një ndeshje të madhe”, vazhdoi ai.
Yildiz është 20 vjeç, por kjo është tashmë sezoni i tretë që ai mban fanellën me numrin 10 të Juventusit - një numër që më parë i ka takuar lojtarëve më të mëdhenj në historinë e klubit, përfshirë legjendarin Alessandro Del Piero.
“Në fillim mendova: ‘O Zot, a do të jem në gjendje ta mbaj peshën e numrit 10?’ Por më pas nuk i dhashë shumë rëndësi,” tha Yildiz.
“Thjesht doja që ai numër të shkëlqente dhe të argëtohesha. Për të qenë i sinqertë, numri nuk luan — unë luaj. Prandaj gjithmonë përpiqem të jap gjithçka për të treguar çfarë jam në gjendje të bëj. Shpresoj që gjërat të kenë shkuar mirë deri tani dhe dua të vazhdoj kështu. Është një ndjenjë e mrekullueshme. Është ëndrra e çdo fëmije, dhe tani unë mbaj këtë fanellë në një klub si ky. Gjithmonë them që nuk më pëlqejnë krahasimet mes meje dhe atij [Del Pieros] sepse ai është një legjendë”, vazhdoi ylli i Juventusit.
“Karriera e tij ka përfunduar; e imja sapo ka filluar. Dua të ndërtoj historinë time. Ai është dikush që gjithmonë e kam admiruar, dhe jam krenar që mbaj numrin e tij në këtë klub”, tha talenti turk.
Yildiz konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë në Evropë për momentin, por talenti i Juventusit thotë se do të vazhdojë të përqendrohet vetëm te paraqitjet e tij.
“Është një motivim i madh, por unë gjithmonë përqendrohem te vetja,” tha ai.
“Nuk më pëlqejnë krahasimet. Jam ai që jam. Nuk jam si askush tjetër. Prandaj shikoj vetëm veten”, vazhdoi ai.
Megjithatë, mundësia për t’u përballur me lojtarët më të mirë në botë e emocionon shumë yllin e ri të Juventusit.
“Absolutisht po. Më emocionon, sepse si fëmijë kam ëndërruar të jem aty, dhe tani emri im është mes atyre të lojtarëve kryesorë. Kështu që po, është një burim i madh krenarie dhe një ndjenjë e pabesueshme”, përfundoi ai./GazetaExpress/








