Liderët më të lartë shtetërorë të Japonisë dhe Koresë Jugore janë takuar për herë të parë pas më shumë se një viti pas disa muajve të tensioneve mes dy vendeve.
Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, dhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, u takuan në kuadër të një samiti trepalësh, të organizuar nga kryeministri kinez, Li Keqiang, në qytetin Chengdu. Tema kryesore e këtij samiti ishin bisedimet për çarmatosje mes Koresë Veriore dhe Shteteve të Bashkuara.
Ky takim shërbeu për liderët e Japonisë dhe Koresë Jugore që t’i zbusin tensionet mes vendeve të tyre. Raportet mes këtyre shteteve u futën në krizë pasi Gjykata Supreme e Koresë Jugore i urdhëroi kompanitë japoneze që t’i dëmshpërblejnë disa qytetarë të Koresë Jugore, të cilët ishin detyruar të punojnë për to gjatë pushtetit kolonial të viteve 1910-1945.
Japonia më pas vendosi pengesa për mallrat e importuara nga Koreja Jugore në fushën e teknologjisë, duke i rënduar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy aleateve të Shteteve të Bashkuara.
Sidoqoftë, liderët e dy vendeve u pajtuan të martën që të takohen më shpesh, pavarësisht dallimeve për çështjet tregtare dhe historike, bëri të ditur zëdhënësja e presidentit të Koresë Jugore, Ko Min-jung.
Presidenti i Koresë Jugore tha: “Japonia dhe Koreja Jugore janë fqinjët më të afërt në aspektet historike dhe kulturore dhe partnere shumë të mëdha dhe të rëndësishme për këmbimet mes popujve të tyre”, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.








