Anëtari i kryesisë së LDK-së, Haki Rugova, ka kërcënuar drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje se edhe pa këta të fundit mund ta formojnë Qeverinë e re, ndonëse partia e Albin Kurtit ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit
Në tentimin e radhës për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, lideri i LV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, do të takohen sot në orën 14:00.
"Kërkesat janë të njohura publikisht, por edhe ofertat. Se a do të arrihet marrëveshja varet nga ekipi negociator (kryesia) në krye me Isa Mustafën. Ta shohim a do të arrihet. Besoj që duhet të arrihet. Nëse nuk arrihet marrëveshja, shikojmë se ekzistojnë variante tjera plot, ka variante B, C. Shteti nuk guxon të kollabojë, duhet të funksionojë. Mundet me u bo qeveria edhe pa Vetëvendosjen”, tha Rugova për “Front Online”.
Në takimin e sotëm pritet që LDK-ja të dalë me ofertë për LV-në, derisa ajo ka kërkuar nga Isa Mustafa që sot t’i prezantojë kushtet që i kanë në tavolinë të diskutimit.








