Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6,4 ballësh të Rihterit njëherësh ishte më i fuqishmi në dekada që ka goditur Shqipërinë. Epiqendra e tij ishte në Detin Adriatik, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.
Qytetet më të prekura janë Tirana, Durrësi, Lezha dhe Shijaku, me shumë ndërtesa të shembura dhe njerëz të lënduar e të vdekur. Spitalet e vendit janë mbushur me të lënduar.
Pjesa më e madhe e njerëzve të humbur raportohen në zonën e Kënetës në Durrës dhe Thumanë.

Ndërsa më të prekurat ishin Fushë-Kruja, saktësisht Thumana, dhe qyteti i Durrësi, vendi i njohur Shkëmbi i Kavajës, i cili është bregdeti më i vizituar nga pushuesit kosovarë.
Ndërsa në Jugun e Shqipërisë, ato zona ku kosovarët vizitojnë më shumë si Saranda, Dhërmiu, Vlora e Himara me plazhet e shumta e të bukura nuk janë prekur nga tërmeti.
Tërmeti ka qenë shumë i fuqishëm, saqë është ndier edhe në shtetet përreth si Maqedoni e Veriut, Kosovë, Serbi dhe Bullgari.
Ndërkohë në Shqipëri janë angazhuar ekipe profesionale nga Italia, Greqia, Franca, Turqia, Zvicra dhe po mundohen ta bëjnë sa më shpejt vlerësimin e ndërtesave që duhet shembur dhe të mos përsëritet kjo fatkeqësi.
Deri tash shifrat paraprake flasin për 10 mijë banorë të evakuuar në të gjithë Shqipërinë, ndërsa vijojnë verifikimet edhe në disa zona në Durrës, shkruan Gazeta Metro.
Siç është konfirmuar nga institucionet shqiptare, banorët e banesave të dëmtuara janë evakuuar dhe strehuar:
964 banorë në çadra, 2329 banorë në hotele, 4816 banorë janë strehuar pranë të afërmve, 838 banorë në qendrat sociale.
Vlen të theksohet se në këtë listë, nuk gjenden edhe të gjithë ata persona që kanë ardhur për strehim në Kosovë, ku vetëm në Prizren, raportohet të jenë vendosur mbi 1000.
Kujtojmë se mëngjesin e së martës Shqipëria është goditur nga një tërmet vdekjeprurës që la plot 51 persona të vdekur, mbi 900 të plagosur dhe mijëra të tjerë pa shtëpi.







