Brenda 15 muajsh, presidenti Hashim Thaçi, bashkë me stafin e tij, pritet të vendosen në zyrat e reja. Aq kohë parashihet të marrë adaptimi i ndërtesës së ish-komitetit për nevoja të Presidencës. Në MAP thonë se po e presin lirimin e objektit nga zyrtarët e Ministrisë së Kulturës për të filluar me renovim. Ndërkohë, punëtorët e MKRS’së kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme që nga nesër, kundër vendimit të të parit të MAP’it, për zhvendosjen e tyre nga objekti që e shfrytëzonin deri tash.
Arjeta Shabani
Presidenti Hashim Thaçi dhe stafi tjetër i Presidencës do të vazhdojnë që t’i shfrytëzojnë zyret e vjetra, së paku edhe për një vit.
Objekti i ish-Komitetit, në të cilin është planifikuar të zhvendoset Presidenca, nuk është liruar ende nga Ministria e Kulturës, pavarësisht se dje u vendos që ky objekt t’i kalojë në shfrytëzim shefit të shtetit.
Në Ministrinë e Administratës Publike deklarojnë se janë në pritje të lirimit të ndërtesës nga stafi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të filluar me renovimin e ndërtesës për nevoja të Presidencës.
Zëdhënësi i MAP’it, Zeqir Bekolli i ka thënë Gazetës Express se në momentin që përfundon komplet zhvendosja, do të fillojnë më procedurat për renovimin e ndërtesës.
“MAP-i është në pritje për lirimin e ndërtesës nga stafi i MKRS-së. Në momentin që përfundon komplet zhvendosja, fillojnë procedurat për renovimin e ndërtesës. Ndërkohë janë marrë kushtet ndërtimore nga komuna e Prishtinës dhe shumë shpejtë MAP-i do të pajiset me leje ndërtimore dhe më pastaj për një afat të shpejtë do të fillojë renovimi”, ka thënë Bekolli.
Adaptimi i kësaj ndërtese për nevoja të Presidencës, pritet të zgjasë jo më pak se një vit, derisa kostoja e saktë e renovimit ende nuk dihet.
“Sipas projektit detal të hartuar dhe dorëzuar në komunë për leje, diku 15 muaj pritet të zgjasë renovimi. Kostoja e saktë nuk dihet ende, kurse mjetet për renovim janë të parapara në buxhetin e viteve 2019-2021”, thuhet në përgjigjet e MAP’it drejtuar Gazetës Express.
Por, vendimi për zhvendosje të stafit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga ky objekt, nuk po u pëlqen këtyre të fundit. Ata po kundërshtojnë që të largohen nga objekti që e shfrytëzonin deri tash për të kaluar në një objekt privat.
Stafi i MKRS’së kanë paralajmëruar se që nga dita e nesërme do të nisin një grevë të përgjithshme për të mos lejuar zhvendosjen nga objekti aktual.
Këshilli Organizativ i Protestës sot gjatë një konference për media ka bërë të ditur se janë shtrënguar të nisin grevën e përgjithshme, pas marrjes së vendimit të ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili kërkon zhvendosjen e MKRS-së.
Greva e përgjithshme e punëtorëve të MKRS-së pritet të nisë nesër, nga ora 8 në mëngjes dhe do të vazhdojë deri në përfundim të orarit të punës, në 16:00 për çdo ditë, derisa Qeveria ta rishqyrtojë vendimin për zhvendosje.
Këshilli grevist i punëtorëve të MKRS-së ka bërë të ditur se do të kërkojë nga gjykata masën e pezullimit të vendimin dhe do të përgatisin kallëzim penal ndaj ministrit për vendimin e marrë.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të MKRS, Labinot Berisha ka thënë se ata janë të vendosur për të kundërshtuar vendimin e të parit të MAP’it.
Sipas tij, vendimi për zhvendosje është antiligjor pasi ende është në fuqi një vendi i marrë nga ish kryeministri Hashin Thaçi, i cili kërkonte që institucionet publike të vendosen në objekte publike.
“Prej nesër ministria do të jetë e bllokuar totalisht. Të gjitha funksionet do të paralizohen. Ne kemi informacione se do të kërkohet ndërhyrja e dhunshme, por ne nuk dëshirojmë që një gjë e tillë të ndodhë, por kërkojmë bashkëpunim institucional me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha.
Kurse, Bislim Bislimi, nga këshilli grevist, ka potencuar vendimmarrja për zhvendosjen e MKRS nga objekti aktual është antiligjor.
“Ky vendim i djeshëm është në kundërshtim me vendimin e ish kryeministrit Thaçi, i cili ka fuqi më të madhe ligjore se sa vendimi i një ministri në shkuarje. Ne do të kërkojmë nga gjykata në afat sa më të shpejtë që është e mundur masën e përkohshme të pezullimit të këtij vendimi, dhe po ashtu do të përgatisim kallëzim penal ndaj ministrit Yagcilar për shkak se vendimi i tij shkakton pasoja”, ka thënë Bislimi.
Ai ka bërë të ditur do të denoncohet se çdo presion që do të mund të vijë nga zyrtarët e lartë ndaj grevistëve, pasi siç ka thënë ai greva organizohet në bazë të ligjit për grevat.
Kundër zhvendosjes së Presidencës në këtë objekt janë deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti këto që synojnë të krijojnë Qeverinë e re.
Ende pa u zgjedhur kryeministër, Albin Kurti ia ka bërë me dije Hashim Thaçit se nuk do ta lejojë që ai dhe stafi i tij të kalojnë në objektin e ish-komitetit, ku aktualisht janë të vendosur stafi i Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Bujqësisë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kreu i VV’së ka bërë me dije se nuk do të lejojnë zhvendosjen e Presidencës në këtë objekt.
Kurti ka deklaruar ditë më parë se me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit, asnjë institucion publik nuk do të zhvendoset në objekte private.
“Kjo nënkupton që nuk mund të lejojmë rialokime të stafit nëpër ndërtesa vetëm e vetëm për të përmbushur apetitet për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike e as nevojën për përfitime të paligjshme të pronarëve të objekteve të caktuara private”, kishte shkruar Kurti, të shtunën.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar para disa ditësh ndaj zhvendosjes së Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga objektet e tyre.
LDK-ja përmes një komunikate për media ka kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të këtyre dy ministrive nga objekti i tyre.
“Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshton vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të MKRS-së dhe MBPZHR-së nga objekti i tyre pa u siguruar fillimisht një objekt tjetër në pronësi të Qeverisë, apo ndërtimin e një objekti të ri”, thuhej në reagimin e LDK-së.
Sipas LDK-së, zhvendosja e dy ministrive në objekte private do të ketë kosto enorme.
“Mbi të gjitha, ky vendim është edhe më i paarsyeshëm që po ndërmerret në kohën e tranzicionit nga një qeveri në tjetrën, pa planifikim të mirëfilltë paraprak operativ e financiar që po rezulton në një kosto enorme për qytetarët e Kosovës prej 105 mijë euro qira mujore për dy objekte në pronësi private”, thuhej tutje në reagim.
Gazeta Express ka raportuar para disa ditësh se si rreth 2 milionë euro shpenzohen çdo vit nga buxheti i shtetit vetëm për qiratë e objekteve private, ku janë të vendosura 17 institucionet shtetërore. Qiraja më e lartë është për objektin e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Ministrisë së Financave.
Në bazë të listës që ka siguruar nga Ministria e Administratës Publike, qiraja vjetore e ATK’së është 384 mijë euro, derisa ajo e Ministrisë së Financave është 347 mijë euro. /Gazeta Express








