Futbolli në Angli është pezulluar deri të paktën më 30 prill, për shkak të përhapjes së vazhdueshme të koronavirusit.
Të gjitha ndeshjet në Premierligë, EFL, Superligën e grave dhe në Championship të grave, dhe të gjitha ndeshjet në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut, janë momentalisht të pezulluara, transmeton Gazeta Express.
Federata e Futbollit e Anglisë është pajtuar që sezoni aktual të zgjatet përtej datës së përcaktuar për të përfunduar, 1 qershor, deri në një datë të papërcaktuar.
Shtyrja e Kampionatit Evropian 2020 për vitin e ardhshëm, i ka hapur rrugë ligave vendore t’i zhvillojnë ndeshjet edhe në muajin qershor.
Megjithatë, momentalisht qeveria britanike i ka ndaluar ngjarjet sportive dhe tubimet masive.
Në një komunikatë të përbashkët, FA, Premierliga dhe EFL-ja kanë shprehur përkushtimin për të gjetur mënyra për rinisjen e sezonit 2019/20 dhe kompletimit të të gjitha ndeshjeve vendore dhe evropiane sa më shpejt që të jetë e sigurt dhe e mundur për ta bërë.
Numri i të prekurve me koronavirus në Britani të Madhe ka shkuar në 2,692, ndërsa 108 persona kanë vdekur si pasojë. /Gazeta Express/








