Një zënkë në mes të punëtorëve të Telekomit të Kosovës, në ndejën e organizuar nga kjo kompani për fundvit, ka eskaluar në gjuajtje me armë zjarri, derisa një person gjatë rrahjes do t’ia drejtonte armën e tij një kolegut me të cilin u përfshi në rrahje. Me të njëjtën armë ai dyshohet se gjatë përleshjes plagosi veten. Bëhet fjalë për Shaban Ramajn që në këtë institucion është zëvendësdrejtor i Departamentit të Logjistikës, kanë bërë të ditur për Gazetën Express burime brenda Telekomit.
Gazeta Express
Në njërën nga kafenetë e Prishtinës, në pjesën e njohur si "Kafet e Vogla", mbrëmë pak para mesnatës, në ndejën e organizuar për festat e fundvitit, ka ndodhur një përleshje që më vonë do të eskalonte deri në gjuajtje me armë zjarri.
Krejt incidenti ka ndodhur në ahengun e organizuar nga kompania Telekomi i Kosovës për punëtorët e saj.
Sipas burimeve të Express, disa punëtorë të kësaj kompanie që dyshohet se ishin në gjendje të dehur, do të kapeshin mes vete, fillimisht duke u rrahur, derisa, një nga ta do të nxirrte armën.
Me të njëjtën armë, personi që sipas burimeve është Shaban Ramaj, e që mban një pozitë të lartë në kompani, atë të zëvendësdrejtorit të Logjistikës, dyshohet se ka plagosur edhe veten.
Këtë version e ka dhënë edhe Policia e Kosovës.
“Në një lokal ka ndodhur një rast plagosjeje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri te plagosja ka ardhur pas një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve. I plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht, është vetëplagosur. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, njofton Policia.

Pas publikimit të lajmit u bë e ditur se bëhet fjalë për truprojën e kryetares së Bordit në Telekom, Besa Shatri. Ajo më vonë do të reagonte duke mohuar se ai person është shoferi dhe truproja e saj.
“Është shkruar sot se mbrëmë me armë zjarri është plagosur truproja dhe shoferi im personal gjë që nuk është e vërtet. Personi në fjalë Shaban Ramaj nuk është truproje i imi dhe asnjë njohuri nuk kam për ngjarjen e ndodhur mbrëmë”, thotë ajo. /GazetaExpress/








